Termat Ligjore

• Digit-Alb: Shoqëria "Digit-Alb" sh.a., e regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, me numër NIPT K41719004D, e cila kryen aktivitet kryesisht në përhapjen e sinjalit televiziv dixhital sipas licencimit të saj, dhe ofron shërbime telekomunikimi me shikuesit e tij.

• Kontratë: Është dokumenti i cili nënshkruhet nga palët dhe e lidh marrëveshjen mes tyre në formë të ligjshme.

• Blerje Online: Do të thotë blerje e produkteve apo shërbimeve të ofruara nga Digit-Alb nëpërmjet faqes së internetit të Digit-Alb brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

• Faqja e internetit Digit-Alb: Është www.digitalb.al (në vijim referuar faqja).

• Data e hyrjes në fuqi: Data e konfirmimit (dhënies së miratimit) në formë elektronike të termave dhe kushteve të përgjithshme nga blerësi.

• Palët: Digit-Alb dhe Blerësi, i cili kryen blerjen online.

• Pikë e autorizuar shitjeje: Janë të gjitha pikat e autorizuara të Digit-Alb brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, tek të cilat ofrohen produktet dhe shërbimet e Digit-Alb kundrejt çmimeve zyrtare të këtij të fundit, ku mund të nënshkruhet një kontratë në emër të Digit-Alb.

• Blerësi (Abonenti): Të gjithë individët që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe zotërojnë një letërnjoftim ose pasaportë, si dhe personat fizikë apo juridikë që zotërojnë një NUIS dhe që lidhin kontratë me Digit-Alb, për të bërë të mundur përfitimin e shërbimit dixhital televiziv tokësor/satelitor vetëm për përdorim vetjak, pa të drejtë rishpërndarjeje, duke pranuar kushtet e kësaj kontrate. Abonimi kryhet me anë të përzgjedhjes së një pakete që përmban një paketim të caktuar të disa kanaleve TV.

• Produkt: Janë programe/kanale, televizive dhe jo televizive, të ofruara nga Digit-Alb, për çdo përdorues i cili ka një aparat marrës, Kartë Smart dhe abonimin përkatës.

• Aparati marrës: Është pajisje elektronike që përdoret për marrjen dhe përpunimin e sinjalit tokësor, satelitor dhe të internetit, nga pika e transmetimit të Digit-Alb, me qëllim shfaqjen e përmbajtjes së komunikimit audioviziv në aparatin televiziv të përdoruesit.

• Antenë: Antena televizive që përdoret për marrjen e sinjalit dixhital për shërbimet televizive, si përditësime të programeve të aparateve marrëse, shërbimeve interaktive, etj. Antena satelitore parabolike shërben për marrjen e sinjalit satelitor, ndërsa antena tokësore për marrjen e sinjalit tokësor, e optimizuar për shërbimet në bandën UHF.

• Karta Smart: Kartë, që së bashku me aparatin marrës, mundëson hapjen e kanaleve televizive dixhitale në aparatin televiziv të blerësit, gjatë periudhës së abonimit. Kjo kartë shitet së bashku me aparatin marrës në momentin e lidhjes së kontratës nga Digit-Alb sh.a.

• Abonimi: Aktivizimi i Kartës Amart kundrejt pagesës për një periudhë të paracaktuar kohore dhe për një grup të caktuar kanalesh që Digit-Alb ofron. Çmimi i saj ndryshon në varësi të kanaleve dhe afatit të shërbimit që zgjedh përdoruesi, si dhe politikave të Digit-Alb.

• Abonim tokësor/satelitor/OTT (aplikacion): Ju duhet të merrni informacion mbi hartën e mbulimit me sinjal në të tria platformat dhe të njiheni me kushtet e përdorimit të tyre, përpara se të kryeni porosinë tuaj, për të zgjedhur produktin e përshtatshëm. Me miratimin e kësaj kontrate, ju konfirmoni shprehimisht se jeni njohur me hartën përkatëse të mbulimit me sinjal.

• Instalim/montim: Shërbim instalimi/montimi për aparatin marrës në banesë/njësi shitjeje apo të tjera, nga njësi të specializuara dhe të autorizuara nga Digit-Alb. Shërbimet e montimeve, instalimeve, apo edhe riparimet e defekteve të mundshme të aparatit marrës, kryhen kundrejt pagesës, në bazë të çmimeve në fuqi të vendosura nga Digit-Alb.

• Servis: Shërbimet e servisit janë njësi shërbimi pranë Digit-Alb sh.a. apo palë të autorizuara nga Digit-Alb, me qëllim kryerjen e shërbimit të riparimit të antenave satelitore dhe tokësore, aparatit marrës dixhital, kur ky nuk mund të kryhet nga vetë blerësi.

• Aktivizimi: Procesi teknik që mundëson blerësin/abonentin të përdorë shërbimin e përzgjedhur/blerë të ofruar nga Digit-Alb, pasi është pajisur me aparatin marrës dhe Kartën Smart.

• Anulimi/Përfundimi i abonimit: Koha dhe gjendja kur të gjitha shërbimet, në të cilat abonenti (blerësi) ka patur akses, janë anuluar/përfunduar, dhe nuk mund të përfitohen me shërbim pa riabonim.

• HDD: Ose ndryshe e referuar si Hard Disk Drive, është pajisje e ofruar nga Digit-Alb, e cila e përdorur në kombinim me aparatin marrës dhe Kartën Smart, mundëson shërbime shtesë si: PVR dhe PushVOD, TS etj.

• PushVOD: Është një formë e teknologjisë VOD (video on demand, shërbim audioviziv sipas kërkesës), ku abonenti ka mundësi të konsumojë materialet video që ndodhen në HDD-në e tij.

• PVR: “Personal video recording” është teknologjia që mundëson blerësin/abonentin, e pajisur me aparatin marrës dhe HDD, të regjistrojë pjesë të ndryshme të kontentit audioviziv nga kanalet dixhitale që Digit-Alb ofron, vetëm me qëllim të përdorimit vetjak.

• TS: “Time shift” është një formë e teknologjisë, e cila i jep mundësinë blerësit/abonentit të ndalojë/të bëjë pause programin në transmetimin linear në harkun e një ore, për ta riparë në një moment të dytë.

• WiFi USB: Në këtë rast është pajisje shtesë që mundëson lidhjen e aparatit marrës me internetin.

1. Objekti i kontratës

1.1. Objekti i kësaj kontrate është ofrimi i produktit për blerësin, kundrejt blerjes online të aparatit marrës dixhital, Kartës Smart dhe abonimit (sipas kategorisë së parapëlqyer prej tij) dhe pajisje të tjera ndihmëse.

2. Kohëzgjatja

2.1. Kjo kontratë hyn në fuqi në datën e aktivizimit të shërbimit audioviziv dhe do të vazhdojë për të gjithë periudhën që abonenti/blerësi do të jetë i abonuar, pra do të ketë parapaguar shërbimin, në varësi të kategorisë që ai ka zgjedhur. Në rast se blerësi blen vetëm aparatin marrës, kjo kontratë hyn në fuqi ditën e blerjes dhe vijon deri në datën e përfundimit të garancisë së produktit.

3. Tarifat dhe pagesat

3.1. Me nënshkrimin e kësaj kontrate, blerësi bie dakord të paguajë shumën e caktuar sipas përzgjedhjes së bërë prej tij, për marrjen e shërbimit të programeve televizive, me pagesë, për periudhën e abonimit të zgjedhur dhe kushteve që ofron paketa e përzgjedhur. Në përfundim të kësaj periudhe, blerësi mund të kërkojë të rinovojë abonimin, por Digit-Alb rezervon të drejtën e ndryshimit të tarifave, në varësi të ndryshimeve të mundshme ligjore apo ekonomike, politikave të tij dhe ofertave sezonale.

4. Mënyrat e Pagesës dhe Limitet e Blerjes

1. Metodat e pranuara për të kryer një blerje janë:

- Nëpërmjet Kartës së Kreditit / Debitit, PayPal.

2. Limiti i blerjes:

- Blerësi mund të blejë jo më shumë se 3 (tre) produkte të të njëjtit lloj brenda 1 (një) dite kalendarike.

3. Përgjegjësia e sinjalit:

- Përpara çdo blerjeje, blerësi duhet të sigurohet që përdorimi i produkteve/aksesorëve është i lejueshëm në vendin e përdorimit dhe nëse nga Digit-Alb ofrohet mbulim me sinjal (përfshirë lejen për vendosjen e antenës satelitore nëse është e nevojshme). Informacioni mbi mbulimin me sinjal gjendet në hartat përkatëse në faqen zyrtare të internetit.

5. Lidhja me sistemin e transmetimit

5.1. Çdo individ, person fizik apo juridik, pasi ka blerë online nëpërmjet faqes zyrtare të internetit të Digit-Alb apo pranë pikës së shitjes përkatëse, aparatin marrës dhe Kartën Smart, kthehet në përdorues të sistemit dixhital televiziv të shërbimit audioviziv me vale tokësore, nëpërmjet shërbimit satelitor dhe atij IPTV/OTT (nëpërmjet internetit), fillimisht duke plotësuar dhe rënë dakord për të gjitha dispozitat e kësaj kontrate dhe menjëherë pasi të ketë lidhur aparatin marrës (përfshirë Kartën Smart) me aparatin televiziv dhe antenën e tij. Për të bërë të mundur përfitimin e sinjalit televiziv, përdoruesi duhet të blejë online një nga abonimet e afishuara në faqen zyrtare të Digit-Alb dhe/ose të blejë në çdo pikë shitjeje të autorizuar të këtij të fundit.

5.2. E njëjta procedurë ndiqet edhe nëse abonenti zgjedh të përfitojë shërbimin OTT (nëpërmjet internetit) ku abonenti mund të aksesojë përmbatjen audiovizive duke krijuar një llogari të tijën personale për përdorimin e aplikacionit të Digit-Alb, instalimit të këtij aplikacioni në pajisje inteligjente të gjeneratës së fundit (të tilla si Smart TV, Mobile, Tablet), si dhe duke u abonuar në paketën e abonimit sipas zgjedhjes së tij. Për të patur qasje në shërbimin OTT, është e nevojshme që pajisja që përdoret të jetë e lidhur dhe të ketë qasje me sistemin e internetit.

6. Njohja e kushteve nga blerësi

6.1. Blerësi është plotësisht në dijeni të termave dhe kushteve të kësaj kontrate, dhe deklaron e konfirmon se e ka kuptuar dhe pranuar me vullnet të plotë se përdorimi i shërbimit dhe produkteve prej tij, duhet bërë në përputhje me udhëzuesin e aparatit marrës që ndodhet në kutinë e aparatit si dhe procedurat e regjistrimit dhe udhëzimet në faqen zyrtare të internetit të Digit-Alb Për të tjera paqartësi mund t’i drejtohet udhëzimeve përkatëse të Digit-Alb që janë publike në faqen e Digit-Alb, dhe/ose me kërkesë të blerësit në numrat e kontaktit/postës elektronike (e-mail), për sa nuk përcaktohet në këtë kontratë.

7. Shërbime pas blerjes

7.1. Në rast se karta smart humbet, blerësi duhet të paraqitet në një pikë shitjeje të autorizuar së bashku me kontratën e blerjes dhe me një dokument identifikimi. Në rast se blerësi nuk e zotëron kontratën e blerjes, kompensimi i abonimit të mbetur nuk mund të kryhet. Karta Smart e humbur, zëvendësohet kundrejt pagesës së barabartë me çmimin zyrtar që ka përcaktuar Digit-Alb, në çastin e reklamimit të humbjes së Kartës Smart nga blerësi/abonenti.

7.2. Në rast se Karta Smart dëmtohet, blerësi bie dakord se duhet të njoftojë menjëherë shërbimin e klientit të Digit-Alb, ose të drejtohet në pikën më të afërt të autorizuar të shitjes dhe e zëvendëson atë kundrejt pagesës sipas çmimeve në fuqi të publikuara të Digit-Alb, në faqen e internetit ose në çdo pikë shitjeje.

7.3. Në rast se Karta Smart rezulton me defekt, brenda afatit të garancisë, blerësi do të kompensohet me një kartë smart të re, pa pagesë, tek e cila do të ketë dhe abonimin e mbetur.

8. Të drejtat dhe përgjegjësitë e Digit-Alb

8.1. Digit-Alb është i detyruar të njoftojë blerësin mbi kushtet e përgjithshme, mënyrën e dhënies së shërbimit (afati, çmimi, etj.), rregullat e aplikuara për kryerjen e pagesave online për blerjen e produkteve të Digit-Alb, rregullat e përdorimit të aparatit marrës, të kartave smart, të abonimit dhe lidhjen me aparatin televiziv, si dhe zonën e mbulimit të shërbimit në fjalë. Ky informacion jepet në çdo pikë të autorizuar të Digit-Alb dhe/ose në format e kontaktit të përcaktuara në faqen e saj në internet.

8.2. Digit-Alb garanton se do të ofrojë për blerësin një shërbim cilësor pa ndërprerje, për sa kohë që kjo do të jetë e mundur teknikisht për të gjithë zonën e mbulimit. Shërbimet mund të ndërpriten për shkak të forcave madhore, mirëmbajtjes periodike të sistemit, përmirësimeve/përditësimeve në sistem, si dhe përmirësimeve të cilësisë së shërbimeve televizive apo shërbimeve të tjera të ngjashme me to, për arsye të ofrimit të një cilësie më të mirë të shërbimit. Megjithatë, në rast të ndërprerjes së sinjalit apo shërbimit, klienti do të vihet në dijeni për shkaqet e këtyre ndërprerjeve nëpërmjet njoftimeve zyrtare në kanalet e platformës dhe në faqen e Digit-Alb.

8.3. Digit-Alb detyrohet të shqyrtojë në një kohë të përshtatshme, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, çdo ankesë të blerësit, që ka të bëjë me shërbimin e ofruar apo pajisjet e shitura. Çdo ankesë e tij në lidhje med mungesën e shërbimit të dhënë, që sipas njohurisë së tij lidhen me Digit-Alb, do të merret parasysh për shqyrtim nga palët, brenda periudhës në të cilën abonimi është aktiv.

8.4. Digit-Alb nuk mban asnjë përgjegjësi në rastin e kalimit të së drejtës së përdorimit të kartës smart nga ana e blerësit te një palë e tretë, në rast se kjo nuk vetëdeklarohet nga blerësi te një pikë e autorizuar Digit-Alb.

8.5. Digit-Alb nuk mban asnjë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara nga blerësi gjatë përdorimit të marrësit dixhital.

8.6. Digit-Alb mund të ndryshojë përmbajtjen e programeve të tij gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate, sipas politikave dhe programacionit që vendos Digit-Alb.

8.7. Digit-Alb njofton blerësin për shërbimin e rimbushjes së abonimit nëpërmjet e-mail ose kontaktit telefonik të deklaruar nga vetë blerësi, për procedurën dhe tarifat përkatëse.

8.8. Rimbushja e abonimit si dhe blerja e produkteve të Digit-Alb me anë të kryerjes së pagesës e-commerce (pagesa me karta nëpërmjet internetit), do të kryhet vetëm dhe në përputhje të plotë me kushtet dhe termat e përcaktuara në faqen zyrtare të internetit të Digit-Alb, në adresën www.digitalb.al.

8.9. Në momentin e nënshkrimit të kësaj kontrate, blerësi deklaron me vullnet të lirë se pranon shprehimisht që ka dijeni të plotë mbi të gjitha kushtet dhe afatet e aplikuara për kryerjen e pagesave e-commerce për blerjen e produkteve të Digit-Alb apo rimbushjes së abonimit.

8.10. Blerësi shprehimisht merr përsipër verifikimin e këtyre kushteve dhe afateve të përcaktuara në adresën www.digitalb.al në çdo rast të kryerjes së pagesave e-commerce për blerje produktesh të Digit-Alb apo rimbushje abonimi. Digit-Alb nuk mban përgjegjësi në rast se pagesat e-commerce nuk janë kryer nga blerësi në përputhje me kushtet e publikuara në adresën zyrtare të Digit-Alb, www.digitalb.al.

8.11. Çdo ankesë e blerësit për shërbimet e munguara në kryerjen e pagesave e-commerce, do të shqyrtohet në përputhje me kushtet e rëna dakord ndërmjet Digit-Alb dhe bankës partnere ofruese të shërbimit, kushte këto për të cilat blerësi deklaron se ka marrë njohuri të plotë.

9. Të drejtat dhe përgjegjësitë e blerësit

9.1. Të përdorë aparatin marrës të Digit-Alb, Kartat Smart dhe abonimet, vetëm sipas udhëzimeve të dhëna nga Digit-Alb dhe udhëzuesit të përdorimit, dhe të mos kryejë asnjë lloj ndërhyrjeje apo modifikimi që ndikon apo mund të ndikojë në prishjen apo marrjen e plotë të sinjalit.

9.2. Të përdorë vetëm abonimet e ofruara nga Digit-Alb në pikat e saj të autorizuara apo të blera online, në bazë të kushteve të kësaj kontrate.

9.3. Të mos përdorë dhe të mos lejojë persona të tretë të përdorin shërbimin e ofruar në ambiente publike (vende që synojnë mbledhjen e publikut) duke përfshirë këtu edhe bar, klube, restorante, qendra të lotarive sportive, hotele, etj. si këto, përveçse në rastin e një autorizimi apo kontrate të posaçme të dhënë nga Digit-Alb për këtë qëllim. Në rast të kundërt, Digit-Alb nuk mban asnjë përgjegjësi në lidhje me këtë shkelje dhe do të ndërpresë në mënyrë të menjëhershme shërbimin dhe do të njoftojë menjëherë autoritetet kompetente për shkeljen.

9.4. Të mos kryejë asnjë lloj veprimi kopjimi dhe shitje pirate të Kartave Smart, si dhe të mos kryejë tjetërsimin e aparatit marrës.

9.5. Të ruajë dhe të mirëmbajë dekoderin brenda shtëpisë së tij dhe të mos kryejë asnjë remont apo ndërhyrje tjetër në aparat.

9.6. Të përdorë antena të parametrave standarde dhe të rekomanduara nga Digit-Alb. Digit-Alb nuk mban përgjegjësi për sinjalin, në rast se antena nuk është vendosur në vendet dhe me drejtimin e përcaktuar si më sipër, apo kur pas instalimit, pëson ndryshime të pozicionit.

9.7. Blerësi pranon ta marrë shërbimin dixhital nga Digit-Alb, në mënyrën e ofruar prej këtij të fundit në faqen e tij zyrtare.

9.8. Blerësi pranon kushtet e shërbimit të rimbushjes së abonimit nëpërmjet blerjes online dhe njoftimit të tij me anë të e-mail apo SMS-ve, procedurën dhe tarifat përkatëse, dhe zgjedh vetë nëse i përdor ose jo këto të fundit.

9.9. Blerësi merr përsipër të mbrojë personat nën moshën 18 vjeç që përdorin abonimin e tij, nga përdorimi i programeve që ofron Digit-Alb dhe të mos lejojë që personat nën moshën 18 vjeç të kenë akses në programet e koduara të Digit-Alb.

9.10. Blerësi bie dakord që Digit-Alb mund të kryejë sondazhe në lidhje me llojet e programeve për të cilat blerësi është i interesuar, me qëllim përmirësimin e programeve të Digit-Alb dhe plotësimin e kërkesave dhe nevojave të abonentëve.

9.11. Blerësi përfiton të gjitha të drejtat dhe detyrimet sipas kësaj kontrate, në rast se ai ka blerë një Kartë Smart me abonim aktiv. Blerësi mund të blejë jo më shumë se 3 (tre) produkte të të njëjtit lloj brenda një dite.

10. Forca madhore

Digit-Alb nuk mban asnjë përgjegjësi në rast se mospërmbushja e veprimeve të tij ka ardhur si pasojë e një force madhore.

Konsiderohen forcë madhore: lufta (e shpallur ose jo), trazirat, sabotimi, fatkeqësitë natyrore, tërmetet, shpërthimet, zjarri, embargot tregtare, grevat, pandemitë dhe epidemitë, aktet e autoriteteve shqiptare apo të huaja me fuqi ekzekutive, shkeljet e ligjeve nga ana e autoriteteve shtetërore apo personave të tjerë që ushtrojnë aktivitet në fushën televizive. Digit-Alb do të bëjë të gjitha përpjekjet e mundshme, edhe në raste të forcës madhore, që t'u sigurojë shërbim përdoruesve sipas kësaj kontrate.

11. Ndryshimi i kontratës

Me nënshkrimin e kësaj kontrate, blerësi bie dakord dhe pranon shprehimisht se Digit-Alb rezervon të drejtën e ndryshimit në mënyrë të njëanshme të dispozitave të kësaj kontrate në zbatim dhe/ose në përputhje me ndryshime të mundshme në legjislacionin në fuqi, apo për shkak të ndryshimit të rrethanave ekonomike. Në çdo rast, këto ndryshime nuk do të prekin kushtet thelbësore të kësaj kontrate. Në raste të tilla, Digit-Alb duhet të bëjë njoftim paraprak në faqen e tij, para kryerjes së këtyre ndryshimeve. Çdo ndryshim i kësaj kontrate do të jetë i vlefshëm vetëm me miratimin e Digit-Alb.

12. Pronësia Intelektuale

Digit-Alb garanton origjinalitetin e të gjitha produkteve të tij të blera në këtë faqe. Produktet janë të mbrojtura dhe të markuara me logon zyrtare të Digit-Alb. Çdo riprodhim, manipulim apo përdorim i paautorizuar i markës përbën shkelje të ligjit për pronësinë industriale.

13. Konfidencialiteti dhe Mbrojtja e të Dhënave Personale

13.1. Asnjë informacion konfidencial nuk do t’i bëhet publik palëve të treta nga palët, pa miratimin me shkrim të palës tjetër, përveç rastit kur ligji i zbatueshëm parashikon ndryshe.

13.2. Digit-Alb deklaron dhe garanton se mbledhja, ruajtja, përpunimi dhe administrimi i çdo të dhëne personale të abonentëve/blerësve bëhet në përputhje të plotë me Ligjin nr. 124/2024 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" në Republikën e Shqipërisë, si dhe aktet nënligjore të nxjerra nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

13.3. Të dhënat personale të blerësit mblidhen dhe përpunohen vetëm mbi baza të ligjshme (për përmbushjen e marrëdhënies kontraktuale, detyrimeve ligjore të kontrolluesit ose mbi bazën e pëlqimit të shprehur). Qëllimet e përpunimit përfshijnë: identifikimin e klientit, faturimin, ofrimin dhe mirëmbajtjen e shërbimit, kryerjen e statistikave të brendshme, si dhe komunikimet zyrtare kontraktuale gjatë kohëzgjatjes së kontratës.

13.4. Në përputhje me Ligjin nr. 124/2024, abonenti/blerësi gëzon të gjitha të drejtat ligjore, duke përfshirë: të drejtën për të kërkuar akses në të dhënat e tij, korrigjimin ose përditësimin e tyre, fshirjen e të dhënave ("e drejta për t'u harruar"), kufizimin e përpunimit, të drejtën për të kundërshtuar përpunimin, si dhe të drejtën e transferimit të të dhënave. Këto të drejta mund të ushtrohen përmes një kërkese me shkrim drejtuar Digit-Alb.

13.5. Të gjitha të dhënat e kartave të kreditit/debitit apo të dhëna të tjera financiare të plotësuara për efekt të transaksioneve online, nuk administrohen dhe nuk janë të aksesueshme nga Digit-Alb apo faqja e tij. Këto të dhëna përpunohen në mënyrë të sigurt dhe të enkriptuar drejtpërdrejt nga platforma e licencuar bankare e institucionit financiar partner. Digit-Alb nuk mban asnjë përgjegjësi për administrimin e këtyre të dhënave financiare.

13.6. Për qëllime të dërgimit, transportit dhe dorëzimit fizik të porosisë, Digit-Alb transferon te shoqëria korriere/shërbimi postar vetëm të dhënat e domosdoshme (Emër, Mbiemër, Adresë, Numër Telefoni). Me konfirmimin e blerjes, blerësi jep miratimin e tij që këto të dhëna t'i kalojnë korrierit me qëllim ekskluziv përmbushjen e dërgesës.

14. Ligji i aplikueshëm dhe Zgjidhja e Mosmarrëveshjeve

Kjo kontratë i nënshtrohet legjislacionit në fuqi të Republikës së Shqipërisë. Palët bien dakord që çdo mosmarrëveshje që lind në lidhje me vlefshmërinë, interpretimin apo zbatimin e kësaj marrëveshjeje, do të zgjidhet në mënyrë miqësore. Në rast se zgjidhja miqësore nuk arrihet, mosmarrëveshja do të dorëzohet për zgjidhje në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm të Rrethit Gjyqësor Tiranë.

15. Dispozita të Ndryshme

Të gjitha pajisjet që janë manipuluar apo të cilave nuk mund t’u identifikohet numri serial i prodhimit, janë të përjashtuara nga të drejtat dhe përfitimet e periudhës së garancisë. Garancia e produktit u ofrohet vetëm blerësve të parë, pra ku është kryer instalimi origjinal i aparatit marrës. Digit-Alb nuk mban përgjegjësi në rastin kur abonimi i kërkuar është autorizuar për një Kartë Smart, e cila po përdoret në një marrës dixhital të palicensuar nga vetë shoqëria Digit-Alb. Karta Smart është e vlefshme për një periudhë 4 vjeçare që nga çasti i aktivizimit. Karta Smart në çdo rast është në pronësi të Digit-Alb. Digit-Alb ka të drejtë t’i kërkojë blerësit kthimin e Kartës Smart në çdo çast, duke e kompensuar me një kartë të re. Ankimimet në lidhje me abonimin do të pranohen brenda një afati kohor prej 48 orësh. Duke klikuar “pranoj”, ju deklaroni dhe pranoni shprehimisht se keni marrë dhe keni kuptuar të gjithë informacionin e nevojshëm lidhur me garancinë, zëvendësimet, transportin, etj., sipas kësaj kontrate.

16. Deklarim i Blerësit/Abonentit

Deklaroj, nën përgjegjësinë time të plotë, se kam mbushur moshën 18 vjeç, dhe se i kam kuptuar tërësisht dhe bie dakord plotësisht me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e sipërpërmendura të kësaj kontrate. Deklaroj gjithashtu, vlefshmërinë e të dhënave të plotësuara nga unë vetë në këtë kontratë.

17. Mënyra e transportit, pagesës, kthimit dhe garancisë

17.1. Transporti i mallrave dhe produkteve të Digit-Alb bëhet përmes shërbimit “Albanian Courier” ose “UPS” dhe faturat lëshohen sipas porosisë së kryer.

17.2. Afatet e dorëzimit janë në ditë pune, si vijon:

- Në Tiranë, 1 deri në 2 ditë;

- Në Rrethe, 2 deri në 3 ditë;

- Jashtë Republikës së Shqipërisë 3 deri në 4 ditë;

17.3. Kthimet për mungesë sinjali apo defekte të ndryshme të mbuluara nga garancia, jashtë Shqipërisë, lejohen brenda 30 ditëve me shpenzimet e blerësit. Garancia e aparatit është 12 muaj nga data e blerjes, sipas kushteve teknike të specifikuara.

17.4. Për arsye sigurie, në parim, të gjitha produktet e blera do të dorëzohen në adresën që vetë blerësi vendos në çastin e blerjes së produktit. Blerësi duhet të jetë i pajisur me një kartë krediti dhe/ose debiti bankare që mundëson blerjet online. Në çastin e dorëzimit, për blerjet brenda Shqipërisë, blerësi firmos personalisht ose firmos personi të cilit do t’i jepet produkti dhe në çastin e blerjes janë vendosur të dhënat e tij. Korrierit, në çastin e dorëzimit, i paraqitet letërnjoftimi ose pasaporta e blerësit ose marrësit të porosisë. Në rast se blerësi nuk ndodhet në adresën e tij në çastin e dorëzimit të porosisë, korrieri komunikon direkt me blerësin në numrin e tij të kontaktit të plotësuar në adresën e porosisë, sipas të dhënave të ofruara nga vetë Blerësi.

17.5. Pas porosisë së blerësit, Digit-Alb lëshon një faturë për produktin që do të transportojë në adresën e blerësit. Për çdo transport të kryer, blerësit i dërgohet elektronikisht dhe/ose me shërbim postar, fatura përkatëse bashkë me dërgesën/porosinë (fatura nënkupton informacion mbi produktet e blera, çmimet përkatëse të tyre në lekë dhe/ose në euro, si dhe kostot e transportit). Hartimi i faturës bëhet sipas porosisë së blerësit në çastin e blerjes. Nuk mund të aplikohen ndryshime në faturë pas lëshimit të saj. Shpenzimet për transportin janë në ngarkim të blerësit dhe janë të paraqitura dukshëm gjatë finalizimit të procesit të blerjes, përpara përfundimit të saj. Produkti i blerë do të dorëzohet me rrugë postare, të përcaktuar nga Digit-Alb. Transporti do të kryhet brenda datave limit të përcaktuara në procesin e blerjes në ditët: nga e hëna në të premte, me përjashtim të ditëve të pushimit javor dhe pushimet zyrtare në shtetin e origjinës dhe në shtetin e dorëzimit të produktit. Digit-Alb nuk është përgjegjës për vonesat që shkaktohen nga korrieri/shërbimi postar. Në çdo rast, përveç forcave madhore, produkti do të dorëzohet te blerësi brenda një afati 10 ditor (ditë pune) nga data e konfirmimit me e-mail të nisjes së porosisë drejt destinacionit të adresuar nga blerësi.

18. Kontaktet

Për asistencë të mëtejshme në blerjet online, ankesa, kërkesa apo ushtrim të të drejtave tuaja mbi të dhënat personale, ju lutemi na kontaktoni në:

E-mail: [email protected]

Tel: 00355 4 238 8051 (e hënë - e premte, ora 09:00 - 16:00)

Adresa Postare (Selia): Digit-Alb SH.A, Autostrada Tiranë-Durrës km.1, Rr. “Pavarësia”, Nr.39, Kashar, Tiranë, Shqipëri (Sektori i Shitjeve “OnlineUnit”).

19. Dispozita të Fundit

19.1. Këto kushte duhet të vlerësohen dhe të interpretohen në mënyrë të lidhur dhe harmonike me tërësinë e politikave dhe përcaktimeve të tjera të shfaqura në faqen zyrtare të internetit të Digit-Alb.

19.2. Digit-Alb rezervon të drejtën të ndryshojë njëanshmërisht këto kushte në përputhje me nevojat e tij tregtare apo ndryshimet ligjore. Blerësi ka detyrimin që përpara çdo blerjeje të njihet me versionin e përditësuar të këtyre termave dhe të procedojë me blerjen vetëm pasi t'i ketë pranuar ato.

19.3. Për blerës jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, Digit-Alb nuk mban përgjegjësi për detyrime të mundshme doganore, të cilat në çdo rast do të mbulohen nga vetë blerësi në përputhje me legjislacionin në shtetin përkatës. Blerësi duhet të informohet paraprakisht për procedurat doganore në vendin e dorëzimit. Blerësi duhet të informojë dhe t’i kërkojë paraprakisht Digit-Alb (në kontaktet e përcaktuara në Faqen Web) dokumente të veçanta që duhet të shoqërojnë produktin, në rast se kërkohen të tilla. Çdo dokument që nxirret në vendin e blerësit është përgjegjësi e këtij të fundit.

19.4.Specifikimet e produktit:

• Produktet e Digit-Alb janë të çertifikuara dhe janë në përputhje me pajtueshmërinë (ose konformitetin) dhe kërkesat thelbësore për marketing dhe përdorim në Bashkimin Europian dhe përmbajnë shenjën CE;

• Nuk janë të dëmshme për shëndetin;

• Mbahen larg përdorimit të pakontrolluar nga të miturit;

19.5. Të dhëna jo të sakta:

• Blerësi mund të rikontaktohet nëse të dhënat personale nuk janë të sakta.

• Digit-Alb nuk mban përgjegjësi për vonesat në dorëzim, në rast se nuk janë regjistruar të dhëna të sakta, për shkak të informacioneve jo të sakta të dhëna nga blerësi apo kur të dhënat s’janë të plota.