Sektori i projekteve të prodhimeve artistike

“Ftesë për bashkëpunim”

Thirrje për pranimin e projekteve të prodhimeve artistike e kulturore në DigitAlb për vitin 2017

DigitAlb gjen rastin të shprehë vlerësimin dhe mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë subjekteve që shfaqën interesin për te bashkëpunuar me DigitAlb përgjatë vitit të kaluar, numrit dhe cilësisë së lartë të ideve, projekteve të tyre, produkteve të përftuara nga ky bashkëpunim, mirëkuptimit, profesionalizmit dhe besimit të ndërsjellë.

Arritjet e shënuara, sukseset e konfirmuara, cilësia e lartë e shërbimeve dhe programeve, roli dhe ndikimi i tyre në informimin, edukimin dhe zbavitjen e shikuesve tanë, shtrirja në territoret me popullsi shqipfolëse dhe përpjekjet e frytshme për njësimin e tyre kulturor, shtimi progresiv i risive dhe përmbajtjes së prodhimeve artistike e kulturore origjinale në shqip, kanë imponuar vijimin e zbatimit të politikave të shpallura me herët ;

  1. Zgjerimi dhe thellimi përmbajtjësor e cilësor i komunikimit me popullsinë shqipfolëse në gjithë hapësirën ku ata jetojnë e punojnë; forcimi i ndjenjave dhe lidhjeve të tyre me kulturën, trashëgiminë dhe të ardhmen e shqiptarëve;
  2. Vendosja dhe ruajtja e ekuilibrave mes funksioneve tregtare të DigitAlb dhe misionit të tij informues, edukues e zbavitës, midis grupmoshave, kategorive programore e gjinive të ndryshme artistike;
  3. Rritja e pandërprerë e standardeve, cilësisë përmbajtjesore dhe estetike të prodhimeve artistike e kulturore;
  4. Afrimi, mbështetja dhe financimi i projekteve artistike e kulturore të forcave më të spikatura krijuese të hapësirës mbarë shqiptare, me fokus dhe vëmendje të posaçme në prurjet e brezave më të rinj në moshë e në formim profesional;

Në funksion të plotësimit të misionit të tij dhe në përputhje me pikësynimet e cilësuara për vitin 2017, DigitAlb shpall si kategori programore prioritare:

  1. Projekte Kombëtare, gjithëpërfshirëse në tematikë, në përmbajtje, në forca krijuese e në audiencë;
  2. Projekte për programe për fëmijë të moshave parashkollore e parauniversitare;
  3. Projekte të filmit dokumentar;
  4. Projekte të filmit televiziv me seri;
  5. Projekte që mundësojnë ritransmetimin e shumëfishtë te produktit, në shtrirje të gjatë kohore;

Përputhur me sa më sipër, DigitAlb shpall ftesën dhe fillimin e pranimit të projekteve artistike e kulturore për financimin dhe prodhimin e tyre me destinacion transmetimin në programacionin e tij.

Të gjithë të interesuarit do të gjejnë informacionin e plotë, rregulloren, formularët dhe metodologjinë e paraqitjes së projekteve, seleksionimit, përpunimit, miratimit, financimit dhe monitorimit të realizimit të tyre, në faqen tonë të internetit www.digitalb.al/sppa

Për më shumë informacion e konsulencë, mund të na kontaktoni në adresën sppa@digitalb.tv

Alban JAHO
Administrator i Përgjithshëm